6 May 2015

Nevojat dhe sfidat e Këshillëve të Mediave në Europën Juglindore

Këshillët e Mediave të Shkruara të Europës Juglindore po ballafaqohen me sfida të shumta gjatë punës së tyre në ngritjen e standardeve profesionale dhe në forcimin e pozitës së tyre në gazetari. Për t’i adresuar këto çështje, UNESCO ka bërë një raport parashikues rreth nevojave të tanishme të secilit Këshill të Mediave të Shkruara në rajon.

Pesë Këshillët e Mediave të Ballkanit Perëndimor, nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia u takuan për të diskutuar të gjeturat fillestare të studimit rreth gjendjes së tanishme të vetërregullimit në rajon. Ky takim u organizua nga UNESCO më 2 maj në Riga, Letoni, si pjesë e organizimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit 2015.

Në fillim të këtij viti, konsulentja e UNESCO-s, Catherine Speller udhëtoi në rajon për të takuar përfaqësusesit e Këshillëve si dhe akterë të jashtëm. Duke folur për misionin e saj, Speller tha: “edhe pse puna e Këshillëve të Mediave në rajon diskutohet shpesh, duket qartë se mungon një pasqyrë e detajuar rreth veprimtarisë së tyre. Tash që kjo e dhënë është sistemuar si pjesë e këtij studimi, ajo mund të përdoret për të identifikuar strategji të cilat do të inkurajonin funksionimin dhe stabilitetin për një kohë të gjatë të vetërregullimit në rajon.”

Mungesa e stabilitetit financiar, hezitimi i disa anëtarëve që të pranojnë sanksione morale, si dhe numri i kufizuar i mediave online në kuadër të tyre janë disa nga problemet me të cilat përballen që të gjithë Këshillët. Studimi identifikon fushat e mundshme për mbështetje në të ardhmen duke përfshirë sugjerime konkrete për secilin Këshill. Gjatë takimit, Speller informoi Këshillët e Mediave dhe pjesëmarrësit tjerë nga rajoni në lidhje me të gjeturat kryesore të cilat pastaj u diskutuan nga të pranishmit. Përfaqësuesit nga Shqipëria dhe Turqia gjithashtu ndanë pikëpamjet e tyre rreth vetërregullimit në vendet e tyre.

Përfaqësuesit e Këshillëve të Mediave të Europës Juglindore mirëpritën diskutimin. Katerina Sinadinovska nga Këshilli Etik i Mediave i Maqedonisë – njëri prej Këshillëve më të ri – tha: “kur diskutojmë për sfidat tona duhet të kemi parasysh sukseset e përgjithshme të Këshillëve tanë në vitet e fundit. Pavarësisht buxheteve të pamjaftueshme, ne kemi ndërmarrë shumë aktivitete të ngritjes së profilit për shoqërinë civile, kemi trajnuar gazetarë dhe redaktorë, si dhe kemi shqyrtuar një numër të madh ankesash. Ne duhet të punojmë më tej në të ardhmen.” Të gjithë Këshillët theksojnë nevojën për të gjetur fonde të cilat mundësojnë funksionimin e tyre gjatë kohës së krizave financiare.

Tarja Turtia nga UNESCO tha: “ky studim mund të ndihmojë në lehtësimin e koordinimit mes donatorëve dhe partnerëve, veçanërisht në kornizën e projekteve të vazhdueshme të UNESCO-s në rajon”. Ka një interesim të vazhdueshëm nga ana e komunitetit ndërkombëtar që të forcojë kapacitetin e Këshillëve të Mediave, si pjesë e një strategjie më të gjerë për promovimin e lirisë e medias. Përfitimet nga Këshillët vetëregullues të rajonit tashmë njihen gjerësisht, duke përfshirë shërbimet e rëndësishme që ata ofrojnë për shoqërinë civile. Mirëpo, që të kenë sukses, ata duhet të jenë efektivë dhe të kenë bashkëpunim me mediat. Faqja e internetit e Sektorit për Komunikim dhe Informim e UNESCO-s jep më shumë të dhëna sa i përket punës së Organizatës në këtë fushë të rëndësishme.

Ky raport është zhvilluar brenda kornizës së projektit BE-UNESCO “Përgjegjësia e mediave në Europën Juglindore”, i cili ka filluar në janar të vitit 2013 dhe inkurajon raportimin profesional dhe etik duke mbështetur krijimin dhe forcimin e mekanizmave vetërregullues të mediave në rajon.