5 May 2017

Leonard Kerquki – Fitues i Ҫmimit të BE-së për gazetarinë hulumtuese 2016

Këshilli i Mediave të Shkruara, më 4 maj 2017, ndau Ҫmimin e BE-së për gazetarinë hulumtuese. Ҫmimi i parë iu nda Lonard Kerqukit për storien hulumtuese Shtabi i Milionerëve nga Luigi Brusa, zevëndës shef i sektorit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së.   

Arsyetimi i jurisë theksoi rëndësinë, cilësinë dhe ndikimin e stories. Shtabi i milionerëve trajton pasurimin e shpejtë dhe të pambulesë të njerëzve kryesorë të UÇK-së, sot drejtues të lartë të institucioneve dhe partive politike. Storia nxjerr për publikun fakte të rëndësishme që tregojnë rrugën dhe mënyrën e pasurimit të këtyre njerëzve. Storia ka gjeneruar debat në publik dhe ka shkaktuar reagime të shumta. 

Lindita Tahiri, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, i ndau Ҫmimin e dytë Jeta Xharrws, Faik Ispahiut, Ekipit Jeta në Kosovë dhe Kallxo.com për storien hulumtuese Vjedhja e Organizuar Tatimore. Kjo storie trajton parregullsitë e gjetura në Administratën Tatimore të Kosovës. Nëpërmjet sinjalizuesit Murat Mehmeti është bërë i njohur evazioni fiskal nga mbi 200 kompani, duke dëmtuar kështu buxhetin e vendit. Storia ka shkuar edhe më tej, duke hulumtuar manipulimin e qytetarëve në emër të keqpërdorimeve financiare. Po ashtu, storia është një kontribut për inkurajimin e sinjalizuesve të tjerë që publikisht të zbulojnë keqpërdorimet në institucione.

Ҫmimi për vendin e tretë për storien e BE-së për gazetarinë hulumtuese iu nda Vehbi Kajtazit për storien Dosja e Shefave: Shteti në dorë në nëntokës. Storia e bazuar në përgjime telefonike shpërfaq thelbin e funksionimit të shtetit, rrjetin e krimit të organizuar, tentimin e kapjes së shtetit. Storia ka dëshmuar se si ndikimi i njerëzve të përgjuar shtrihet mbi institucionet e vendit, përfshirë pushtetet e pavarura. Storia ka pasur ndikim të madh në opinionin publik dhe një proces hetimor është nisur bazuar në të.

Këtë vit, juria ishte e përbërë nga Imer Mushkolaj, analist/kryetar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara, Anamari Repic, gazetare, Besa Luci, gazetare/kreyredaktore në Kosovo 2.0, Lindita Tahiri, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, dhe Evliana Behrani, kreyredaktore në InfoGlobi.

Ceremonia e Ҫmimit të BE-së për gazetarinë hulumtuese për vitin 2016 u mbajt në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës. Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin gazetarë, përfaqësues të organizatave civile, dhe studentë vendor e ndërkombëtar.