20 December 2012

Kumtesë për shtyp Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në Ferizaj Etika e Gazetarisë nuk duron ngurtësi.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, i mbështetur nga Zyra Zvicrane për Bashkëpunim, më 20.12.2012 organizoi një tribunë me gazetarët e rajonit të Ferizajit me temën: “Etika e gazetarisë në Kosovë dhe sfidat”. Kjo ishte njëherit tryeza e parë e këtij lloji e organizuar në Ferizaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.

Në fillim, Xhemail Rexhepi – kryetar i bordit të KMSHK-së, paraqiti historikun shtatëvjeçar të ekzistimit të KMSHK-së dhe aktivitetet e tij në mbrojtjen e lirisë së shtypit si dhe mbrojtjen e qytetarit në rastet e shkeljes së Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës nga ana e gazetarëve por edhe të gazetarëve në rastet kur akuzat kundër tyre janë të pabaza.

Kryeredaktori i Kohës Ditore, Agron Bajrami, foli për etikën e gazetarisë si bazë të gazetarisë së mirëfilltë. “Konceptin e etikës në gazetari nuk duhet kundruar si diçka të ngurtë; atë duhet parë në kontekst të ngjarjes dhe se ajo është e pandarë nga liria e të shprehurit, kurse besueshmëria ndaj lexuesve fitohet nga puna e pandërprerë” ka thënë Bajrami. Duke folur për kultivimin e një qëndrimi etik nëpër shtëpitë botuese, Bajrami ka potencuar krijimin e një fryme të brendshme bashkëpunimi por edhe ndarjen e përbashkët të përgjegjësisë.

Gazetarja e Zërit, Selvije Bajrami, paraqiti përvojën e saj lidhur me etikën nga raportimet që bëhen nga gjyqet, prokuroritë dhe nga policia. Ajo ka tërhequr vërejtjen e mbylljes së informacioneve veçmas nga prokuroritë dhe privimet e përhershme me motivacion se tema “rrezikon hetimet e mëtejme”.
Bajrush Morina, kryeredaktor i gazetës Bota Sot, th se Kodi dhe përvoja e KMSHK-së ka ndikuar pozitivisht që gazetarët dhe redaktorët të punojnë duke respektuar Kodin dhe në këtë mënyrë krijojnë autoritet më të madh profesional dhe fare pak probleme të natyrave të ndryshme me lexuesit dhe gjykatat.

Momnetalisht, një nga çështjet kryesore ku etika e gazetarisë duhet të veprojë për ta ndryshuar gjendjen, janë portalet dhe komentet e lexuesve në to, tha Leonard Kerquki, Kryeredaktor i gazetës Express. “Është e tmerrshme, seriozisht shqetësuese, përdorimi i gjuhës së urrejtjes. Aty po bëhet denigrimi i njerëzve”. Sipas tij dhe pjesëmarrësve tjerë, duhet që redaksitë të punojnë më shumë me gazetarë dhe redaktorë të cilët do të merreshin me “filtrimin” e këtyre komenteve që shpesh kanë gjuhë helmuese të urrejtjes.

Gazetarët nga rajoni i Ferizajit shpalosën përvojat e tyre dhe shtruan shumë pyetje dreejtuar kryeredaktorëve, pra redaksive qendrore, sepse korrespondentët në rrethe janë të vetëm andaj edhe i ndënshtrohen presioneve të ndryshme. Veçanarisht, siç u tha, po bëhet gjithnjë e më i pranishëm jo ndikimi i politikës por i ekonomisë në punën e gazetarëve.