19 December 2012

KUMTESË PËR SHTYP

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të sotme, pasi shqyrtoi ankesën e dy zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës kundër gazetës Zëri e cila më 16 maj 2012, botoi një artikull me titull “MPB falsifikon edhe datëlindjet”, konstatoi se gazeta ka bërë përpjekje që të dëgjojë të gjitha palët lidhur me disa korrigjime dhe plotësime në dokumente të arkivuara nga zyra e gjendjes civile dhe të dërguara në Komisionin treanëtarësh të MPB-së për të vendosur lidhur me ankesat nga shkalla e parë (zyrat komunale të gjendjes civile). Gazeta ka kërkuar shpjegime nga zyrtarët gjegjës të MPB-së për të kuptuar bazën ligjore për këto ndryshime por nuk ka arritur të marrë përgjigje të saktë për këtë. Sipas Udhëzimit Administrativ për Komisionin e Shqyrtimit të Ankesave, MPB mund të korrigjojë të dhënat personale. Në rastin konkret, gazeta Zëri nuk ka kontestuar këtë të drejtë por ka kontestuar faktin se në disa raste vendimet janë marrë jo me votat e tre anëtarëve të komisionit por vetëm me votat e dy anëtarëve. Nisur nga kjo, KMSHK konstatoi se gazeta Zëri e ka kryer detyrën e saj duke botuar reagimin e MPB-së por për shkak të mungesës së shpjegimeve nga njerëzit përgjegjës të MPB-së, kanë mbetur disa paqartësi, të cilat janë përmbushur me rastin e botimit të reagimit të MPB-së. Andaj kjo ankesë nuk u miratua.

KMSHK, duke shqyrtuar ankesën e Sarah Maliqit nga Civil Rights Defenders kundër portalit telegrafi.com i cili me datën 07.10.2012 ka publikuar shkrimin dhe videon e TV Top Channel të titulluar “Parada LGBT në Serbi: Mbështetje nga aktivistë shqiptarë” si dhe komentet e lexuesve lidhur me këtë artikull, dha opinion se ky portal, duke mos filtruar me kohë komentet që nxisin dhe përmbajnë gjuhë të urrejtjes, ka bërë lëshim dhe në këtë mënyrë ka shkelur Kreun 3 të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës (nxitja dhe gjuha e urrejtjes) pika 2 dhe 3. Pasi Sarah Maliqi i është ankuar KMSHK-së, ky portal ka hequr nga faqja e tij fjalë dhe shprehje të patolerueshme. Këshilli me këtë rast kërkon nga të gjithë anëtarët dhe joanëtarët e tij që të bëjnë përpjekje të përhershme në mënyrë që në portalet e tyre të mos lejojnë asnjë formë të gjuhës së urrejtjes.

KMSHK shqyrtoi edhe dy artikuj të gazetës Kosova Sot të botuar me datat 7 dhe 8 nëntor 2012 kundër të cilëve është ankuar IKD-ja (Instituti i Kosovës për Drejtësi). Këshilli konstatoi se gazeta Kosova Sot ka shfrytëzuar një tryezë diskutimi të organizuar nga ky institut ku janë dëgjuar mendime të ndryshme të pjesëmarrësve lidhur me temën “Pavarësia e Gjyqësorit në Kosovë: Analizë e pavarësisë financiare, institucionale dhe individuale”. Gazeta Kosova Sot ka respektuar Kodin duke e botuar reagimin e IKD-së me çka janë dhënë shpjegime të mjaftueshme, andaj KMSHK-ja konstatoi se me rastin konkret nuk u gjetën shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara.
Në mbledhjen e sotme KMShK-ja edhe njëherë i dha përkrahje redaksisë së revistës Kosovo 2.0. dhe dënoi më tërë fuqinë aktet vandaliste që e përcollën promovimin e numrit të ri të kësaj reviste ditë më parë.

Prishtinë.