14 June 2007

KUMTESË PËR MEDIA

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të 11 qershorit 2007, solli këto vendime ndaj ankesave të arritura.

  1. Lidhur me ankesën e Agjencisë së Antikorrupcionit të Kosovës, kundër gazetës ,,Epoka e re,, për reagimin e gazetës në kumtesën e AKK, botuar më 9 maj 2007, KMSHK konstatoi:
    1. Konsiderohet i vërtetë fakti se Agjencia Antikorrupcion e Kosovës, të vetmen kumtesë zyrtare pas përfundimit të rrethit të dytë (u krye më 4 maj 2007) të paraqitjes së obligueshme të pasurisë së liderëve politik dhe zyrtarëve tjerë të lartë, ka distribuuar në media, më 8 maj 2007.
    2. Është i pakontestueshëm numri prej 40 personave e jo mbi 200 që deri në përfundimin e afatit të dytë të paraqitjes, nuk kishin paraqitur pasuritë e tyre pranë Agjencisë së Antikorrupcionit.
    3. Mbetet kontestuese pse AKK nuk ka shpallur ende emrat dhe pasuritë e deklaruara të personave të obliguar me ligj. KMSHK konsideron se duhet të behet dallim midis ,,sekretit zyrtar,, gjatë veprimtarisë hulumtuese të AKK rreth rasteve të korrupsionit dhe të drejtë së qytetareve qe të informohen sa kanë pasuri funkcionarët e pushtetit dhe të partive, të gjitha këto në mbështetje të Ligjit për qasje në dokumentet zyrtarë. Nëse ka nevojë për plotësime ligjore, kjo duhet të bëhet sa më shpejtë, por praktika e vendeve demokratike është e qarte: funksionarët i shpallin publikisht pasuritë dhe prejardhjen e tyre.
    4. KMSHK mendon se ,,Epoka e re,, nuk e ka shkelur Kodin e Mediave të Shkruara në rastin e shkrimeve lidhur me Agjencinë Antikorrupsion, pasi ka përcjellë qëndrimet e të gjitha palëve dhe mund te kuptohet se qëllimi i artikujve të përmendur ka qenë ta ngrisë këtë problem në opinion për të arritur publikimin e pasurive të personave të obliguar sipas Ligjit të Kosovës kundër Korrupsionit.
  2. Prof. dr.Selvete Hoxha-Krasniqi, i është ankuar KMSHK-së kundër gazetës ,,Express,, e cila ka botuar më 11 prill 2007 një artikull me titull: ,,Fakulteti i kushërinjve,,. Në atë artikull, thuhet se prof. dr.Selvete Hoxha-Krasniqi është punësuar në Fakultetin e Mjekësisë nga bashkëshorti i saj dr. Avdyl Krasniqi, asistent në po të njëjtin fakultet. Prof. Dr. Selvete Hoxha-Krasniqi i ka bashkangjitur ankesës së saj edhe këto fakte: Vërtetimin se ajo është pranuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dy vite para se të martohej me Avdyl Krasniqin dhe se ajo është pranuar në Fakultet para Avdy Krasniqit.
    Gazeta “Express” do ta botojë këtë përmirësim.
  3. Partia ,,Ora,, është ankuar kundër gazetës ,,Infopress,, lidhur me një shkrim që mund të konsiderohet editorial, botuar më 21 mars 2007, me titull ,,Mulla Veton Surroi,,.
    Veton Surroi nuk ka vizituar vendet arabe, si shkruan gazeta, por ka takuar ambasadorët dhe disa ministra arabe dhe islamike ne Selinë e KB në New York, gjë që është shpallur në të gjitha mediat botërore dhe kosovare.
    KMSHK konstaton se nuk është e vërtetë se këto vizita janë bërë për ,,biznes personal dhe qejfe personale,, porse takimet në OKB janë bërë me kërkese të Grupit të Unitetit, çka mund të vërtetohet nga dokumentet valide të Grupit të Kontaktit.
    KMSHK konsideron se nuk qëndron akuza e Parise ,,Ora,, se ,, Infopress,, ka shkelur kapitullin 3 të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës në pjesë ku ndalohet ,,paanshmëria religjioze,,. Përdorimi i titujve fetar si ,,Mulla Vetoni,, nuk mund të konsiderohen si ndonjë përbuzje fetare.
    KMSHK niset nga kreu 2 i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ku bëhet dallim midis lajmeve dhe opinioneve. Ky shkrim konsiderohet opinion i individit.
  4. Gazeta ,, Infopress,, ka botuar më 19 04.2007 artikullin me titull : ,,Lukset e ,,dajës,,Bujar,,. Në ankesën e Bujar Dugollit, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Kërkohet të përgënjeshtrohen disa akuza kundër tij.
    Në artikull nuk jepen të dhëna dhe emra të ,,top këngëtareve shqiptare të cilëve Dugolli ua financon videoklipet, pos emrit të Ledina Qelo. As për këtë të fundit, redaksia e “Infopress” nuk sjell fakte.
    Nuk botohet emri i nipit të Dugollit që i mban 6 banesat e ,,dajës,, dhe shënimet e përafërta se ku gjenden ato banesa.
    KMSHK nuk ka marre të dhëna konkrete nga redaksia “Infopress” për shpenzimet e z. Dugollit ,,në dreka e darka,,.
  5. Vinetu Ganic, gazetar i komunitetit boshnjak nga Prizreni është ankuar kundër gazetës ,,Koha ditore,, lidhur me një artikull të botuar më 22 prill 2007 me titull ,,Komploti-dezinformatë apo kërcënim serioz,,. Fjala ishte për një informatë AP-së se si Rusia ka këshilluar Serbinë të pushtojë me 200 policë pjesën veriore të Kosovës. Gazeta kishte gjetur një informatë të SHPK-së në të cilën përmendej emri i V.G., si ,,udhëheqës i mundshëm i grupit prej 30-38 terroristësh që gjoja janë infiltruar në rrethin e Prizrenit,, e që u përdor si një anterfile për artikullin ku kërkoheshin prononcimet e Partive politike lidhur me atë qe kishte lajmëruar agjencia AP. Gazeta ,,Koha Ditore,, ka botuar në tërësi përgjigjen përgënjeshtruese të V.G. si dhe një sqarim të redaksisë ku ajo pranon se ka bërë lëshim që nuk e ka fshirë emrin e V.G. nga informata e policisë, siç i kishte fshirë emrat e policëve qe kishin dërguar atë informatë, sepse, si thonë, kanë besuar se ishte fjala për një nofke e jo për një emër të vërtetë.
    KMSHK kërkon nga anëtaret e saj qe të respektojnë me përpikëri ruajtjen e identitetit të njerëzve të apostrofuar për vepra penale, derisa te merret vendimi i plotfuqishëm gjyqësor apo i organit gjegjës.
    Sipas të dhënave të gjertanishme të cilat i ka mbledhur KMSHK, V.G. nuk është akuzuar nga asnjë organ gjyqësor si i dyshuar për terrorizëm.
  6. Mehrie Uka, drejtor i NTP ,,Mekanizimi,, i është ankuar KMSHK-së kundër gazetës ,,Infopress,, lidhur me artikullin ,,Keqpërdorimi i pronës së “Mekanizmit,,.
    Zonja Uka pohon se shumë nga të dhënat në artikull nuk janë të vërtetë. Ajo njëherit ka deponuar një mori dokumentesh që pohojnë se nuk ka keqpërdorime në ,,Mekanizim,, veçmas pas ardhjes së saj në postin e drejtorit.
    Gazeta ,,Infopress,, nuk ka shkelur Kodin e Mediave në aspektin e paraqitjes së të dhënave e qëndrimeve e të gjitha palëve, mirëpo KMSHK konstaton se ky është një rast i cili kërkon ekspertizë të thellë financiare e juridike, andaj vendosi qe të mos marrë kurrfarë qëndrimi lidhur me këtë shkrim, pasi për këtë rast mund të vendosë vetëm gjykata kompetente.

13.06.2007, Prishtinë
Zyra e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovë