30 March 2015

KUMTESË PËR MEDIA

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës u shqyrtua ankesa e Doganës së Kosovës kundër gazetës Kosova Sot lidhur me artikujt “Shteti mban sekret tregtinë e dëmshme me Serbinë” dhe “Rafuna dëmtoi buxhetin 4.5 milion euro”. U vendos që të miratohet vetëm një pikë e kësaj ankese ku lidhur me Lulzim Rafunën janë hedhur poshtë si të pabaza çështjet që kanë të bëjnë me akcizat në vitin 2011. Ndërkaq, sa i përket pikës së ankesës në lidhje me qasjen në dokumente zyrtare, që kjo gazetë ka paraqitur në Doganë, del se gazeta në nëntitull të artikullit ka botuar qëndrimin e Doganës, andaj kjo pikë e ankesës nuk mund të miratohet.

Lidhur me çështjen e importit të grurit të mykur, KMShK konstatoi se kjo çështje po shqyrtohet edhe nga ana e organeve kompetente të Kosovës. Andaj, nuk mund të jepet mendim pasi priten vendimet e organeve kompetente lidhur me çështjet për të cilat ka shkruar kjo gazetë.

KMShK, pasi shqyrtoi ankesën e Arbëresh Gashit kundër portalit Gazetafjala, lidhur me artikullin “Kallëzim penal kundër Shpend Ahmetit dhe Glauk Konjufcës”, që ka të bëjë me një pronë e cila sipas komunës i është kthyer pronarit, vendosi që artikulli ka paraqitur qëndrimet e disa palëve të interesit dhe se Gjykata është ajo e cila duhet ta jap vendimin, ndërsa përkrahu vendimin e redaksisë që në tërësi ta botojë reagimin e ankuesit sipas dispozitave të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Ankuesi Mehmet Isufi ka dërguar një ankesë kundër Gazetës Express lidhur me lajmin “Ish luftëtarë të UҪK-së, mercenarë edhe në Ukrainë”. Përfaqësuesi i Gazetës tha se lajmi burimor për këtë supozim ka arritur nga agjencia e lajmeve Itar Tas të cilën e ka përcjellë KTV, prej nga Gazeta Express e ka huazuar duke cituar burimet. Andaj, ky medium nuk merr përgjegjësi për vërtetësinë e lajmit. Sipas parimeve etike, gazetat kanë të drejtë të huazojnë shkrime nga burimet tjera me kusht që të paraqesin burimet siç ka ndodhur në rastin konkret, andaj ankesa nuk mund të miratohet.

Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF) ka dërguar një ankesë kundër portaleve Indeksonline dhe Telegraf, në lidhje me një video që ata kanë huazuar me titull: “Shikojeni sesi 3 vjeçarja imiton vallëzimin e Kallashit”. Meqenëse bëhet fjalë për mbrojtjen e dinjitetit të fëmijëve, KMShK kërkon që këto dy portale të gjejnë mundësinë e heqjes së kësaj videoje nga portali i tyre, dhe njëkohësisht u bën apel edhe mediave të tjera që të respektojnë normat etike të Kodit.

Sokol Domniku është ankuar kundër gazetës Zëri lidhur me artikullin “Megaskandali i Pejës, u lëshuan 503 diploma false”, ku në listën e Prokurorisë gjendet edhe ai edhe bashkëshortja e tij. Meqenëse kjo çështje ende është duke u hetuar nga Prokuroria, KMShK gjen se nuk ka mundësi të paragjykojë fajësinë apo pafajësinë e ankuesit.

KMShK miratoi ankesën e grupit të 12 redaktorëve të RTK-së kundër portalit Indeksonline lidhur me artikullin “Kush janë 12 redaktorët e RTK-së që po protestojnë”. KMShK konstatoi se portali nuk ka paraqitur edhe prononcimet e redaktorëve të përmendur në shkrim. Edhe portali në fjalë pajtohet se “mund të ketë pasur lëshim në pjesët që nuk janë kontaktuar paraprakisht të përmendurit në shkrim, mirëpo këtë mundësi të reagimit të tyre, portali Indeksonline është i gatshëm ta botojë në tërësi reagimin nëse ai i arrin”.

KMShK, në mbledhjen e sotme, zgjodhi udhëheqësinë e re të Bordit. Kryetar u zgjodh Imer Mushkolaj, nënkryetar i gjertanishëm i Bordit, ndërsa Anamari Repiq dhe Muharrem Nitaj u zgjodhën në postin e nënkryetarit. KMShK falenderoi përzemërsisht prof. Ibrahim Berisha, kryetarin e gjertanishëm të KMShK-së, i cili përfundoi një mandat të suksesshëm në këtë Këshill.