29 April 2015

Indeksonline i bashkohet KMShK-së

Në mbledhjen e sotme të bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës të cilën e kryesoi Imer Mushkolaj, kryetar i bordit, u miratuan dy ankesa dërguar nga Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut kundër portaleve Indeksonline dhe Koha, në lidhje me përmbajtjen e gjuhës së papranueshme në komentet e lexuesve në të dy artikujt.

Portali Koha edhe Indeksonline menjëherë i kanë larguar komentet nga rubrika, komente këto të cilat përmbanin shprehje të papranueshme dhe kanë kërkuar ndjesë pasi ato komente nuk janë lëshuar me ndonjë qëllim, por në pamundësi të filtrimit të tyre.

KMShK, edhe një herë thekson se përgjegjësinë për gjuhën e urrejtjes në media e mbajnë redaksitë. Andaj, kërkohet një angazhim më i madh i të gjitha redaksive të mediave të shkruara dhe portaleve që të mos lejojnë depërtimin e çdo lloji të gjuhës së papranueshme në media.

KMShK, gjithashtu, miratoi ankesën e Kujtim Isës kundër portalit Bota Sot lidhur me artikullin “Shkarkohet për korrupsion, bëhet këshilltar i MTI-së”. Anëtarët e KMShK-së vendosën të miratojnë këtë ankesë pasi që artikulli është shkruar pa ja dhënë fjalën palës tjetër si dhe për raportim jo të saktë ku shkelet Kreu II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës (Raportimi i së vërtetës). Portali Bota Sot është i gatshëm që ta botojë prononcimin e palës ankuese duke u mbështetur në Kodin e KMShK-së.

Tahir Zeka është ankuar kundër gazetës Zëri ngase kjo gazetë kishte botuar një artikull me titull: “Megaskandali i Pejës, lëshohen 503 diploma false”. Në listën e prokurorisë së Pejës, e cila ka zhvilluar hetimet është gjetur edhe emri i Tahir Zekës, por pas një hulumtimi që ka bërë një komision i veçantë i Ministrisë së Arsimit ka dalur i dyshimtë vetëm një numër i diplomave. Gazeta Zëri ka shprehur gatishmërinë që ta botojë reagimin e Tahir Zekës, por ajo përgjigje ka arritur me e-mailin toni.toni e jo me emrin e vërtetë të ankuesit, gjë që ka bërë që emaili të mos merret parasysh. Prandaj, kërkesa e ankuesit që të botohet përgënjeshtrimi konsiderohet e arsyeshme nga KMShK kurse gazeta Zëri do ta botojë edhe reagimin.

KMShK-së sot iu bashkua edhe një anëtar i ri, portali Indeksonline.