9 August 2007

Komunikatë për shtyp

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nxjerrë sot kumtesën vijuese:

“Misioni i OSBE-së ka vërejtur një zhvillim brengosës të raportimit të papërgjegjshëm dhe joprofesional nga gazeta ditore Infopress. Më 9 mars, Infopress ka publikuar një artikull të titulluar “Çeta në Graçanicë” rreth konfliktit në Kosovë, së bashku me një listë emrash të serbëve nga Kosova të këtij fshati. Në muajin maj, gazeta publikoi dy artikuj lidhur me një polic serb nga Kosova, të cilin e akuzonte për shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe një seri artikujsh për “Masakrat e serbëve në rajonin e Mitrovicës”, pasuar nga një artikull lidhur me organizimin e “forcave serbe” në Komunën e Istogut. Nga 30 maji deri më 6 qershor, gazeta publikoi lista të individëve nga Kosova, kryesisht serbë të Kosovës, duke përfshirë emrin e tyre të plotë dhe informata shtesë, për të cilët pohohej se kanë qenë rezervistë ushtarak në Armatën Jugosllave në Kosovë.

Këto lista kanë shkaktuar shqetësim të madh në mesin e popullatës pakicë dhe brenda Këshillit Kosovar të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili i bëri një vizitë të përditshmes në fjalë për t’ia tërhequr vëmendjen për pasojat e mundshme të rrezikshme që mund t’i sjellë një raportim i tillë i papërgjegjshëm. Sipas nenit 10.2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ushtrimi i të drejtës së të shprehurit “lidhet me detyra dhe përgjegjësi.” Është detyrë dhe përgjegjësi e Infopress të kuptojë që raportimi mund të provokojë lexues të caktuar ta zbatojnë “drejtësinë” jashtë sistemit gjyqësor.

Ndonëse Infopress ka theksuar se ka përfunduar me publikimin e listave të tilla, më 23 korrik dhe një javë më pas u publikuan përsëri kryesisht emrat e serbëve të Kosovës nga rajone të ndryshme të Kosovës. Nga 30 korriku deri më 4 gusht, çdo numër i botuar i Infopress përmbante lista tjera.

Misioni i OSBE-së i dënon fuqishëm këto publikime, të cilave u mungojnë standardet themelore gazetareske dhe pasqyrohen negativisht në parimet redaksionale të Infopress. Arsyetimi, si dhe forcat pas këtyre artikujve janë të paqarta. Kjo lloj gazetarie e papërgjegjshme nuk ndihmon në informimin e publikut, e as që i kontribuon bashkëjetesës paqësore të komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Ajo krijon një imazh negativ të Kosovës dhe është e dëmshme për aspiratat e shumicës së Kosovarëve për të jetuar në një shoqëri tolerante Evropiane të civilizuar ku sundon ligji.

Misioni i OSBE-së gjithashtu është i brengosur rreth sqarimit të Infopress që artikujt ishin publikuar në përpjekje për të mbështetur gjyqësorin. Vetëkuptim i çdo mediave do të duhej të ishte se ato monitorojnë dhe vështrojnë me kujdes ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin – e jo të plotësojnë boshllëqet e supozuara apo të veprojnë në emër të tyre. Ndarja e qartë e pushtetit të qeverisjes së bashku me media politikisht të pavarura është gurthemel i domosdoshëm i çdo shoqërie demokratike. Nuk është rol i mediave të veprojnë “në mbështetje”, apo në vend të gjyqësorit apo çfarëdo dege të qeverisë.

Misioni i OSBE-së në Kosovë i bën thirrje Infopress dhe gazetave Kosovare në përgjithësi, që të veprojnë sipas kodit profesional të mirësjelljes, të cilin janë pajtuar ta zbatojnë si anëtarë të Këshillit të Mediave të Shtypura dhe të kontribuojnë për raportim të përgjegjshëm, profesional dhe të depolitizuar, duke e pasur parasysh saktësinë e informatës, vlefshmërinë e artikullit, kualitetin e shkrimit, si dhe nocionin e interesit të publikut.”