27 September 2016

KMShK vendosë për 13 ankesa

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, pasi u shqyrtua ankesa e Bernard Nikajt, ish ministër i Tregtisë dhe Industrisë kundër portalit Infokusi lidhur me një artikull me titull “Ambasadori i Kosovës vodhi asetet e Ministrisë”, konstatoi se në këtë rast është bërë shkelja e Kreut II (raportimi i së vërtetës) të Kodit të Mediave të Shkruara, pasi gazeta nuk ka pasur fakte për të mbështetur artikullin. Gjithashtu, është bërë edhe shkelja e Kreut IV (e drejta për t’u përgjigjur), pasi ankuesit nuk i është mundësuar prononcimi, si dhe shkelja e Kreut V (personat e akuzuar për vepër penale) ku në këtë rast, ankuesi paragjykohet si fajtor pa pasur asnjë procedurë apo vendim gjyqësor për të.

Viva Fresh Store Sh.p.k është ankuar kundër portalit Infokusi lidhur me artikullin “Skandaloze: Viva Fresh Store keqtrajton punëtorët. KMShK gjeti se Infokusi ka bërë shkelje pasi për çështjen e shqyrtuar nuk ka marrë edhe prononcimin e palës tjetër, pra të përfaqësuesit të Kompanisë në fjalë, por vetëm të punëtorëve me çka ka shkelur Kreu IV (e drejta për t’u përgjigjur), pika 3, ku kërkohet që gjatë shqyrtimit të një ngjarje kontraverse, mediat duhet të dëgjojnë dhe t’i përfaqësojnë të gjitha palët e përfshira. Prandaj ankes u miratua pjesërisht.

Spitali Amerikan në Kosovë është ankuar në KMShK kundër portalit Infokusi lidhur me artikullin “Rrëfimi i tmerrit – Teuta mbeti në karrocë nga spitali amerikan”. Në këtë rast, u konstatua se portali Infokusi ka botuar në tërësi reagimin e ankuesit, dhe se gjatë shkrimit të artikullit ka përfshirë të gjitha palët relevante, kështu që sipas Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, anëtarët vendosën njëzëri që kjo ankesë të mos miratohet.

Ndërmarrja “Jusaj Metal” ka dërguar një ankesë kundër gazetës Zëri lidhur me artikullin “Evazion fiskal me materiale të xhamisë”. Gazeta Zëri ka botuar në tërësi reagimin e palës ankuese, dhe kështu ka përmbushur detyrimin që del nga Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës. Në ankesë thuhet se pala ankuese nuk ka pasur vërejtje në të dhënat e artikullit, por se ka mohuar se në atë kohë ka qenë nën hetime nga Dogana rreth materialit ndërtimor. Mirëpo, në një sqarim të Doganës thuhet se “Dogana ka pasur hetime të hapura dhe se ajo e ushtron kontrollin pas një periudhe hetimi, dhe data e kontrollit nuk nënkupton fillimin e hetimeve për një person apo kompani”. Andaj, KMShK vendosi se në këtë rast nuk ka shkleje të Kodit, dhe ankesa nuk miratohet.

Grupi i organizatave joqeveritare (shtatëmbëdhjetë organizata turke) kanë dërguar tetë ankesa kundër disa portaleve të cilët kanë raportuar për letrën se Ambasadës së Republikës së Turqisë në Kosovë dërguar MPJ-së lidhur me shqyrtimin e një opinioni të një gazetari të Kosovës pas tentimit të grusht shtetit ne Turqi. Në të gjitha ankesat theksohet se është bërë gabim në përkthimin e asaj letre. Së pari, në ankesë thuhet se nga teksti në gjuhën angleze është përkthyer gabimisht se ambasada “ka kërkuar nga MPJ”, kur ajo në fakt vetëm ka bërë lutje, dhe se në letër nuk kërkohet “dënimi i gazetarit”, por vetëm kërkohet “trajtimi i rastit sipas ligjeve të Kosovës”. KMShK pasi e shqyrtoi gjerësisht këtë rast, konstatoi se të gjitha mediat kundër së cilave është bërë ankesa, lajmin burimor e kanë marrë nga një burim, i cili i vetmi ka pasur në dorë kopjen e tekstit në gjuhën angleze, dhe se atë përkthim në gjuhën shqipe e kanë shfrytëzuar të tjerët. KMShK konstatoi se mediat në fjalë janë tregua korrekte gjatë transmetimit të tekstit nga burimi i parë, dhe se ato kanë të drejtë të interpretimit bazuar në praktikat e gazetarisë, andaj kjo ankesë nuk u miratua.

Kompania Ipko është ankuar kundër portalit Veriu.info lidhur me artikujt “Ipko po tkurret dhe operatori vala po rritet”, dhe “Limaj, Grabovci, Lushtaku….viktima të thashethemeve se Ipko nuk përgjohet”. Anëtarët e KMShK-së kontatuan se sa i përket artikullit të parë nuk ka shkelje të Kodit, kurse sa i përket artikullit të dytë është vërejtur se është shkelur Kreu II (raportimi i së vërtetës).

Nga sot, anëtarë të KMShK-së u pranuan portali Insajderi, portali arbresh.info, dhe portali në gjuhën serbe gracanicaonline.com.