16 June 2017

KMShK vendos për 9 ankesa

Sot, më 15 qershor, KMShK mbajti mbledhjen e bordit në të cilën u shqyrtuan 9 ankesa. Ankesa e dërguar nga Devolli Group kundër Gazeta Express lidhur me artikullin “Shpend Ahmeti ka investuar edhe në qendrën kulturore në Klan Kosova” u miratua pjesërisht, pasi bordi konstatoi se ka shkelje vetëm të Kreut IV (E drejta për t’u përgjigjur) të Kodit të Mediave të Shkruara. KMShK vendosi njejtë edhe për dy ankesa të tjera të Devolli Group kundër Gazeta Express lidhur me artkujt “Drama tragjike e Shpend Ahmetit me Blerim Devollin”, si dhe “Devollët uzurpojnë sheshin e kryeqytetit me leje të Shpend Ahmetit”.

Ankesa e kompanisë  Birra Peja kundër Gazeta Express u miratua, pasi u konstatua shkelja e Kreut II (Raportimi i së vërtetës) dhe Kreut IV (E drejta për t’u përgjigjur). Gazeta Express në këtë artikull nuk ka paraqitur fakte për çështjen e trajtuar, si dhe nuk ka marrë  prononcimin e palës tjetër. Njëjtë u vendos edhe për ankesën e Gent Rizvanollit kundër Gazetës Express lidhur me artikullin “Burri i asistentes së Shpend Ahmetit punon te Blerim Devoll”.

KMShK nuk miratoi ankesën e Devolli Group kundër Gazetës Express lidhur me artikullin “Blerim Devolli i shkruan një letër skandaloze Albin Kurtit”. Pasi që shkrimi ishte një koment i GazetaExpress si dhe u publikua letra e Blerim Devollit drejtuar Albin Kurtit

KMShK shqyrtoi edhe dy ankesa të Devolli Group kundër gazetës Kosova Sot lidhur me artikujt “Për gjobën 30 milionëshe, të hetohen edhe Devollët”, dhe “Krerët e VV-së në kthetrat e Devollëve”. Lidhur me këto ankesa, bordi konstatoi se gazeta Kosova Sot ka shkelur Kreun II (Raportimi i së vërtetës), si dhe Kreun IV (e drejta për t’u përgjigjur).

Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe ankesa e Vehbi Kajtazi kundër portaleve Bota Press, Gazeta Infopress, dhe Gazeta NewBorn në lidhje me publikimin e një statusi të Milaim Zekës në Facebook. Ankesa u miratua pasi bordi konstatoi shkelje të Kreut II (Raportimi i së vërtetës), Kreut III (Nxitja dhe gjuha e urrejtjes), Kreut IV (E drejta për t’u përgjigjur), Kreut VI (Mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve), dhe Kreut VII (Privatësia).