14 April 2017

KMShK takon gazetarët e komunës së Gjilanit

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka organizuar një debat me gazetarë në Gjilan ku është folur mbi rëndësinë e kodit të etikës, funksionimin e KMShK, mbrojtjen e fëmijëve në media, sfidat që kanë portalet lokale, mundësia që portalet të profilizohen e çështje të tjera.

Imer Mushkolaj, kryetar i KMShK, tha se portalet duhet t`i nënshtrohen përgjegjësisë profesionale dhe nuk duhet më të arsyetohen se nuk ekzistojnë rregulla. “Kodi i etikës e qartëson mirë edhe fushën e medias online. KMShK po bënë një punë të mirë profesionale sepse ka edukuar portalet dhe u ka dhënë mundësi edhe zërit të qytetarëve apo lexuesve që të ndëshkojnë portalet përmes KMShK”.

Musa Sabedini kryetar i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu”, themelues i Rajonipress dhe anëtar i bordit të KMShK tha se respektimi i kodit të etikës është kusht thelbësor që portalet të kenë qëndrueshmëri profesionale. ”Nëse respektohet kodi i etikës dhe nëse respektohen parimet e vetërregullimit për mediet online, atëherë mundësia për të gabuar apo shkaktuar dëme ligjore është shumë e vogël”. Sabedini tha se portalet çdo ditë e më tepër po e kuptojnë rolin që ka kodi i etikës dhe në përgjithësi KMShK.

Ndërsa Nehat Islami, drejtor ekzekutiv i KMShK-së tha se portalet duhet të ofrojnë raportime të balancuara dhe të bazuara në fakte e argumente, gjithnjë duke marrë për bazë të gjitha palët e përfshira në atë shkrim.