31 May 2017

KMShK shqyrton 7 ankesa

KMShK, në mbledhjen e sotme, miratoi ankesën e Aurora Susurit kundër Gazetës Blic dhe  portalit të revistës Kosovarja lidhur me artikullin “Ja sa janë rritur fëmijët e Aurora Susurit”.

Anëtarët e Bordit gjetën se është shkelur Kreun VI, pika 1, si dhe (Privatësia)  Kreu VII, pika 1 e Kodit të Mediave të Shkruara, pasi “janë publikuar fotografitë e fëmijëve nën moshën 18 vjeçare pa pëlqimin e prindit ose kujdestarit”.

Në këtë rast KMShK u tërheq vërejtjen edhe mediave të tjera që të mos bëjnë shkelje të Kodit duke botuar fotografitë e fëmijëve nën moshën 18 vjeçare pa pëlqimin e prindit apo kujdestarit, si dhe të mos keqpërdoren fëmijët gjatë fushatës zgjedhore.

KMShK nuk miratoi ankesën e Avdi Ferrit kundër Insajderit lidhur me lajmin “Ferri: Autobusët janë të vjetruar, u është ndërrruar ngjyra”. Kjo, pasi KMShK u bind se lajmi është nxjerr nga intervista e Z.Ferrit në KlanKosova, ku ai shpreh dyshimin e tij për shkak të nuancave të ndryshme të ngjyrës së autobusëve, për çka po bëhen hetime.

Nuk u miratua as ankesa e kompanisë Index Kosova kundër portalit të Rrokum TV lidhur me lajmin me titull “Skandaloze: Sondazhi i Index Kosova’s bani të mundun abuzimin me miliona euro”. KMShK gjeti se ankesa ishte e përgjithësuar, nuk ofroi fakte relevante, ndonëse Sekretaria e KMShK-së e ka kërkuar këtë nga ankuesi.

KMShK shqyrtoi edhe katër ankesa të Devolli Group kundër gazetës Kosova Sot dhe gjeti se gazeta Kosova Sot ka shkelur Kreun II (Raportimi i së vërtetës), duke paraqitur qëndrimet vetëm të bashkëbiseduesve të zgjedhur nga redaksia, si dhe Kreun IV (E drejta për t’u përgjigjur), pasi nuk i’u mundësua edhe palës tjetër të shprehet lidhur me qëndrimet e botuara në këto artikuj.