25 December 2017

KMShK shqyrton 10 ankesa

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e sotme shqyrtoi 10 ankesa. Devolli Group është ankuar kundër gazetës Kosova Sot lidhur me nëntë artikuj të botuar në këtë gazetë. KMShK vendosi se në të gjitha këto raste është shkelur Kreu II (Raportimi i së vërtetës) i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, pasi gazeta nuk ka botuar edhe qëndrimet e palës tjetër, apo të ndonjë organi kompetent, e as ndonjë opinion të pavarur në mënyrë që të sqarohen të gjitha çështjet që trajtojnë arikujt.

Gjithashtu, KMShK vendosi se në këto raste është shkelur edhe Kreu IV (E drejta për t’u përgjigjur), pasi nuk është botuar asnjë përgjigje e palës ankuese.

KMShK nuk e miratoi ankesën e Bujar Lepajës kundër portalit Gazeta Express lidhur me një artikull i cili përmban një fotografi në të cilën shihet Behgjet Pacolli dhe Lazim Destani duke pirë duhan në një ambient të mbyllur. Sipas ankuesit, fotografia është publikuar pa autorizimin e tij. KMShK vendosi se në këtë rast nuk ka shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës pasi fotografia është marrë nga faqja e Facebookut, e cila ishte publikuar në domenin publik.