2 February 2018

KMShK shqyrtoi 20 ankesa

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e sotme nuk miratoi ankesën e Dr. Gani Bjaraktari kundër portalit Shneta.com lidhur me artikullin “Të akuzuarit e rastit Stenta nderojnë me prezencën ‘EuroEcho 2017’” në Lisbonë. Portali nuk ka gënjyer se z. Bajraktari gjendet në listën e të dyshuarëve për rastin Stenta. KMShK-ja ka miratuar pjesërisht ankesën e Ilir Bajraktarit kundër të njëjtit portal, pasi që edhe ai gjendet në fotografinë e publikuar të disa mjekëve të cilët kanë marrë pjesë në konferencën “EuroEcho 2017” në Lisbonë, por se nuk gjendet në listën e të dyshuarëve për rastin Stenta. Andaj, portali gazetashneta.net është dashur që këtë fakt ta paraqes edhe në tekstin e fotografisë.

KMShK miratoi ankesën e Blerim Devollit kundër Gazetës Express lidhur me artikullin “Punëtori i Blerim Devollit, Fisnik Ismaili, e mbron Aida Dërgutin”, pasi Fisnik Ismaili edhe vet ka pranuar se ka bashkëpunuar me këtë kompani, por ai nuk ka qenë punëtor i kësaj kompanie. Ndërsa lidhur me artikullin “A është Blerim Devolli arsyeja e thyerjes së LVV” të cilën e ka paraqitur Blerim Devolli kundër Gazetës Express, KMShK gjeti se nuk ka shkelje në këtë analizë.

KMShK miratoi ankesën e Valbona Rrecaj – Fazliut kundër portalit Bota Press lidhur me artikullin “Ja si takohej diplomatja e Kosovës, Valbona Rrecaj Fazliu me ambasadorin serb në Austri”. Në mbledhjen e sotme gjithashtu u miratua ankesa e Enver Gashit kundër portalit Bota Sot lidhur me artikullin “Aksident i rënd në Austri, lëndohen gjashtë shtetas nga Maqedonia”, pasi ky lajm është marrë nga portali Shtegu.com pa e theksuar burimin.

KMShK miratoi pjesërisht ankesën e ALDO (përfaqësues juridik) kundër portalit Kallxo.com dhe atë për shkak të titullit të artikullit “Ministri mohon ta ketë emëruar këshilltar të dënuarin me burg”, i cili nuk përkon me tekstin.

KMShK miratoi pjesërisht ankesën e Albulena Ukimerajt kundër portalit Insajderi lidhur me artikullin “Oda e Avokatëve keqpërdorë buxhetin”. KMShK konstatoi se Albulena Ukimeraj ka konkuruar legalisht për një bursë prej dy mijë e pesëqind eurosh për ngritje profesionale, gjë që është në pajtim me statutin e Odës së Avokatëve të Kosovës. Gjithashtu, pjesërisht u miratua edhe ankesa e Odës së Avokatëve të Kosovës kundër portalit Insajderi për të njëjtin artikull.

KMShK në mbledhjen e sotme miratoi edhe 10 ankesa të Devolli Group kundër gazetës Kosova Sot për shkelje të Kreut II (Raportimi i së vërtetës), dhe Kreut IV (E drejta për t’u përgjigjur).