11 November 2010

KMSHK organizoi takimin me gazetarët korrespondente të komunës së Gjilanit.

Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës me përkrahje të OSBE-së, Misioni në Kosovë si dhe në koordinim me Klubin e Gazetarëve “Beqir Musliu”, më 15 tetor 2010, organizoi me korrespodentët e Gjilanit ,Vitisë dhe Dardanës, tryezën “Etika e gazetarisë dhe e vërteta”.

Ishte kjo tryeza e parë me korrespodentët e mediave te shkruara, në kuadër të projektit që KMSHK-ja në bashkëpunim me OSBE-në është duke implementuar këtë projekt . Projekti ka për qëllim promovimin e Kodit të Etikës dhe vetë-rregullimit në mediat e shkruara të Kosovës. Në kuadër të saj janë paraparë organizimi i tryezave me redaktorët, gazetarët dhe të tjerët nga fusha e mediave të shkruara, në 3 qendrat kryesore të Kosovës dhe atë krahas Gjilanit, gjatë muajit nëntor takime të ngjashme do të mbahen në Mitrovicë (23 nëntor 2010) dhe në Prizren (30 nëntor 2010).

Tryezën e hapi drejtori ekzekutiv i KMSHK-së z. Nehat Islami i cili pasi njoftoi të pranishmit mbi qëllimin e këtij takimi foli mbi rëndësinë e respektimit të Kodit të etikës nga ana e gazetarëve dhe medieve të shkruara. Gjithashtu, z. Islami, duke dhënë një pasqyrë të punës së deritanishme të KMSHK-së, njoftoi mbi atë se deri më tani nga ky organ vetë-rregullues janë shqyrtuar më shumë se 100 raste të ankesave ndaj gati të gjitha gazetave ditoreve të Kosovës.

Ligjëruesit kryesor në këtë takim, z. Behxhet Haliti zv-kryeredaktor i ‘Zërit” dhe z. Musa Sabedini kryetar i klubit të gazetarëve “Beqir Musliu” folën për eksperiencën dhe për sfidat që hasin në punën e tyre në aplikimin e masave vetë-rregulluese për respektimin e Kodit të Etikës.

Në debatin që pasoi, të pranishmit, që kryesisht ishin gazetarë/korrespodentë nga Gjilani dhe rajoni nga disa prej mediave kryesore të Kosovës, u pajtuan se respektimi i Kodit të Etikës është esencial në synimet për të ngritur standardet profesionale të gazetarisë dhe nivelit të mediave të Kosovës.

Zyra e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
Prishtinë.