KËSHILLI I MEDIAVE TË SHKRUARA TË KOSOVËS MORRI PJESË NË TAKIMIN VJETOR TË KËSHILLAVE EVROPIANE TË SHTYPIT NË AMSTERDAM
Zyra e Këshillit të Mediave të shkruara të Kosovës, ju njofton se nga 3 nëntor deri më 5 nëntor 2010, në Amsterdam u mbajt konferenca vjetore e këshillave të Pavarura të Mediave të Shkruara të Evropës (AIPCE 2010). Si anëtare e këtij asociacioni, KMSHK, sikurse edhe viteve të kaluara morri pjesë në punimet e këtij takimi të përfaqësuar nga z.Williem Houwen, kryetar i Bordit të KMSHK-së, Nora Behluli –zyrtare për ankesa në sekretariatin e KMSHK-së si dhe Anamari Repic, nënkryetare e bordit të KMSHK-së. Përndryshe udhëtimi dhe qëndrimi i tyre në Amsterdam, përkrahet edhe nga OSBE-ja, Misioni në Kosovë.
Në këtë takim, përfaqësuesit e KMSHK-së, ndër tjerash prezantuan aktivitetet dhe rezultatet e arritura gjatë këtij viti, me ç`rast duhet cekur përgatitjen dhe publikimin e broshurës informative që me përkrahjen nga OSBE-ja, është publikuar në qershor të këtij viti.
Përndryshe, në këtë takim vjetor të Këshillave të Shtypit të Shteteve Evropiane, përveç temave që lidhen drejtpërdrejtë me punën dhe aktivitetet bazike të trupave vet-rregullues, u diskutua edhe për çështjet dhe sfidat me të cilat momentalisht ballafaqohen mediat e shkruara në Evropë.
Duke u nisur nga përvoja nga takimet e kaluara, KMSHK-ja nga këto takime të rëndësishme, bisedat dhe shkëmbimet e përvojave të zyrtarëve të saj, përfiton njohuri dhe eksperienca të reja që do t` aplikojë këtu në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës si trup i vetëm vetë-rregullues që promovon Kodin e Etikës së Gazetarisë në Mediat e Shkruara të Kosovës.