1 December 2017

Këshilli i Mediave të Shkruara organizoi Shkollën e Etikës së Gazetarisë

Për tri ditë me radhë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës organizoi në Prishtinë modulin e parë të Shkollës së Etikës së Gazetarisë. Studentë të gazetarisë nga Universiteti i Prishtinës, Kolegji AAB, Kolegji UBT dhe gazetarë të rinj që punojnë në media patën rastin që nga gazetarë me përvojë dhe të tjerë ligjërues të mësojnë për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me etikën, si kusht i domosdoshëm për gazetari profesionale.

Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore” foli për gazetarinë dhe gazetarin sot, duke tërhequr paralele ndërmjet punës së bërë në gazetë dikur dhe asaj sot, kur kemi një zhvillim të hovshëm të teknologjisë.

Vehbi Kajtazi, kryeredaktor i gazetës online “Insajderi” u fokusua në etikën gjatë punës në gazetarinë hulumtuese. Ai, me shembuj konkretë, ilustroi gjithë vështirësitë dhe sfidat e të bërit gazetari por, njëkohësisht, edhe ndikimin që kanë storiet hulumtuese në opinion dhe te organet përkatëse që të ndërmarrin hapat e duhur.

Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, u fokusua në shpifjen, fyerjen e qasjen në dokumentet publike, si dhe në kornizën ligjore të mediave në Kosovë, ndërkaq profesori Ibrahim Berisha ligjëroi për lajmin e rremë, si një trend global dhe mundësitë që të shmanget sa më shumë gjatë raportimit.

Kryetari i Bordit të KMShK-së, Imer Mushkolaj u fokusua në misionin dhe punën e KMShK-së, ashtu si Naile Krasniqi, në cilësinë e drejtoreshës ekzekutive, foli për punën dhe misionin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Për etikën në rrjetet sociale foli eksperti i mediave sociale, Valon Canhasi, ndërkaq kryeredaktorja e portalit Graçanica Online, Andjelka Çup, me studentët dhe gazetarët e rinj ndau përvojat e saj gjatë punës si gazetare, si dhe paraqiti një pasqyrë të funksionimit të mediave në gjuhën serbe në Kosovë.

Një ligjëratë për diplomacinë dhe gazetarinë e mbajti edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairí O’Connell.

Edicioni i katërt i Shkollës së Etikës së Gazetarisë u organizua me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur. Moduli i dytë do të mbahet vitin e ardhshëm.