26 April 2017

Këshilli i Mediave të Shkruara vendosi për pesë ankesa

25 prill 2017

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës nuk miratoi ankesën e OnAir Fm kundër portalit lajm.net në lidhje me artikullin “Stupcat akuzojnë për mashtrim “OnAir Fm”, kërkon hetim nga policia”. Vendimi u mor pasi redaksia e lajmit ka botuar fakte të prekshme mbi të cilat ka përgatitur këtë artikull.

Ndërkaq u miratua ankesa e Shoqatës së Pavarur Sindikale të administratës komunale në Pejë kundër portalit Kosova.Plus në lidhje me artikullin “Malverzimet në sindikatën e komunës së Pejës”, për shkak të mungesës së fakteve për t’i mbështetur disa konstatime të botuara në artikull.

Ankesa e Shkëlqim Devollit kundër gazetës Kosova Sot lidhur me artikullin “Manovrat e Thaqit që në krye të Doganës të sjellë njeriun e Devollëve”, u miratua pjesërisht.  Bëhet fjalë për Kreun II (Raportimi i së vërtetës) pasi gazeta është dashur t’i mbështesë me fakte pretendimet e saj.

KMShK nuk miratoi ankesën e Imamit Ekrem Avdiu nga Mitrovica kundër Gazeta Express nw lidhje me artikullin “Të dhënat shokuese të WikiLeaks: zbulohen 11 terrorristë në Al Qaedas në Kosovë”. KMShK konstatoi se artikulli është shkruar mbi burime të identifikushme si KFOR, WikiLeaks, ku emri i Imamit përmendet si njeri tek i cili u gjet një numër telefoni i një terrorrisi të Al Qaedas. I gjithë artikulli mbështetet me fakte dhe faksimile.

Ndërkaq në lidhje me ankesën e Dardafon.net kundër Gazetës Express në lidhje me artikullin “Tronditëse: PTK drejt falimentimit, Blerim Devolli fiton edhe në shkallën e dytë të arbitrazhit”, KMShK miratoi vetëm njërën nga pikat e ankesës. Ky shkrim është shkruar pas shkallës së dytë të Arbitrazhit Ndërkombtar. Express ka botuar editorialin e vet dhe komunikatën e vendimit të Arbitrazhit, mirëpo antarët e KMShK-së miratuan ankesën vetëm në një pikë (Raportimi i së vërtetës), pasi Expressi nuk paraqiti fakte për pretendimet e ngritura në artikull.