10 May 2006

KEK / Palok Berishaj

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës shqyrtoi në mbledhjen e tij të rregullt, më 27 prill 2006, ankesën e KEK-ut të bërë përmes Z. Palok Berishajt, datë 01 mars 2006, kundër gazetës “Lajm”, lidhur me artikullin e Altin Ahmetit : “Menaxhmenti i KEK-ut i mashtron punëtorët”, botuar më 17 janar 2006.
Gazeta “Lajm” ka botuar përgënjeshtrimin e KEK-ut.
Zyra e KMSHK-së i është drejtuar gazetës “Lajm” dhe KEK-ut për shpjegime plotësuese rreth këtij rasti.
Gazeta “Lajm” ka dërguar deklaratën e autorit të artikullit, atë të kryeredaktorit dhe ekstraktin nga gjendja e tatimpaguesit KEK me NRB 80248059 në bazën e shënimeve të Administratës Tatimore. Aty figurojnë të dhënat mbi te cilat është mbështetur gazeta në momentin e shkruarjes së artikullit.
Zyra e KMSHK-së ka kërkuar shpjegime nga Administrata Tatimore për të konstatuar vërtetësinë e këtij raporti, por drejtori, ndonëse kemi kërkuar takim, nuk na e ka caktuar terminin, edhe pas një jave pritjeje.
Jozyrtarisht, nga disa persona të Administratës Tatimore kemi marre përgjigje se Administrata Tatimore nuk u jep të dhëna “personave te trete”.
I jemi drejtuar Trustit te Pensioneve. Nga zyrtari i këtij Trusti kemi marre përgjigjen se ata nuk i japin të dhëna “personave te tretë”. Nga ata jemi informuar se KEK-u ka marrë një raport të kërkuar nga Trusti i Pensioneve për punëtoret e vet.
Deri me 27 prill, kur është mbajtur Mbledhja e KMSHK, nga KEK nuk kemi marre asnjë dokument burimor që KEK-u ka marrë nga Administrata Tatimore as nga Trusti i Pensioneve lidhur me këtë kontest dhe që do të kontestonte artikullin ne fjalë. Kemi marre vetëm një pasqyrë te pagesave të cilën e ka përpiluar vetë KEK-u.
Anëtarët bordit të KMSHK-së, pas një diskutimi të thukët dhe njohjes me të gjitha deklaratat e dokumentet e dosjes “KEK-Lajm” konkluduan si vijon:
Bordi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, pas shqyrtimit të ankesës së KEK-ut kundër gazetës “Lajm” për artikullin “Menaxhmenti i KEK-ut mashtron punëtoret”, botuar me 17 janar 2006, dhe pas shqyrtimit të dëshmive, nuk sheh asnjë bazë për të marrë masa kundër gazetës në fjalë, sepse ajo ka informuar në atë kohë, në bazë të fakteve.