21 January 2016

Integriteti i medias dhe gazetarisë në rajon dhe Kosovë

Observatori i Medias në Europën Juglindore, një partneritet i organizatave të shoqërisë civile për mbështjete të lirisë së mediave dhe pluralizmit në media, sot në Prishtinë organizoi një tryezë me gazetarë, përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile lidhur me shumë çështje nga sfera e pronësisë dhe financimit të medias në Kosovë, si dhe mbi rolin e gazetarëve dhe redaktorëve në mbrojtje të integritetit të tyre profesional dhe mediave.

Imer Mushkolaj, kryetar i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës foli për rëndësinë e integritetit të mediave dhe të gazetarëve, ndërsa Brankica Petkovic, koordinatore e projektit rajonal Observatori i Medias në Europën Juglindore, nga Instituti i Paqes, Lublanë, bëri një përshkrim të punës dy vjeçare të këtij partneriteti, ku bëjnë pjesë të gjitha shtetet e europës juglindore dhe Turqia.

Isuf Berisha, hulumtues i mediave, prezentoi raportin “Pronësia dhe financimi i mediave në Kosovë: vakumi ligjor dhe mungesa e transparencës”. Ai, me shembuj konkret, tregoi se sa janë të hapura disa media, e sa janë të mbyllura disa të tjera ndaj kërkesave për transparencë.

Agron Bajrami, kryeredaktor në gazetën Koha Ditore, paraqiti pikëpamjet lidhur me luftën e gazetarëve dhe redaktorëve profesionist për ta ruajtur integritetin e tyre profesional, si para lexuesve ashtu edhe para botuesve të tyre.

Në këtë tryezë u dëgjuan propozime se si të avancohen çështjet për të cilat u diskutua.