12 May 2017

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Dardafon.net kundër Gazetës Express

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të rregullt të mbajtur më 25 prill 2017, shqyrtoi ankesën e Dardafon.net kundër Gazetës Express lidhur me editorialin “Tronditëse: PTK drejtë falimentimit, Blerim Devolli fitoi edhe në shkallën e dytë të arbitrazhit”, botuar më 4 prill 2017, dhe mori këtë

V E N D I M

  • Ankesa miratohet pjesërisht

 

A RSYETIMI

Ankesa mbështetet mbi katër pika të cilat kanë të bëjnë me shpifje sipas ankuesit.

KMShK shqyrtoi këtë ankesë dhe konstatoi se Gazeta Express ka botuar këtë shkrim pas vendimit të shkallës së dytë të arbitrazhit ndërkombëtar.

Në tërësi ky vendim është botuar në kuadrin e shkrimit, i veçuar me fontin bold, çka len të kuptohet se është botuar edhe një mendim tjetër përmes vendimit të arbitrazhit.

Gjithashtu, çështja e mënyrës së lidhjes së kësaj kontrate midis PTK-së dhe Dardafon.net mbetet të verifikohet nga organet gjyqësore të Kosovës, për çka kanë filluar hulumtimet e mëtejme.

Nuk është kontestuese as shuma prej 30 milion euro, si fakt që PTK duhet t’ia paguaj Z Mobile.

KMShK gjeti se në këtë rast shkelje e Kodit konsiderohet epiteti si “kompani kriminale”, për të cilat është dashur të botohen dëshmi, p.sh ndonjë vendim gjyqësor i formës së prerë. Në këtë mënyrë do të argumentoheshin konstatimet e ngjashme të editorialit, i cili paraqet mendimet e redaksisë dhe ku nuk ka qenë e detyrueshme të kërkohet prononcim i palës tjetër, pasi bëhet fjalë për këtë lloj shkrimi të vlerësuar si editorial.

Andaj, KMShK konstatoi se në këtë rast është shkelur vetëm një pikë e cila ka të bëjë me Kreun II (Raportimi i së vërtetës) i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Vendimi u morr me 13 vota për.

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij opinioni.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës