9 October 2015

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Komunës së Drenasit kundër portalit Telegrafi

5 tetor 2015

Ankuesi pretendon se artikulli i botuar në portalin Telegrafi është sajuar nga vetë gazetari pa marrë prononcimin e përfaqësuesit të Komunës dhe si i tillë është jo i drejtë. Fjala është për marjen e një vendimi nga këshilltarët e Komunës së Drenasit lidhur me çështjen e varrezave katolike në fshatin Llapushnik.

Ankesës i është bashkëngjitur edhe vendimi i kryetarit të Komunës së Drenasit Nr 462-2774 i datës 04.03.2010 për shpalljen e interesit të përgjithshëm dhe fillimin e procedurës për shpronësimin e pjesës së parcelës kadastrale Nr 545, në Llapushnik.

KMShK, pasi shqyrtoi ankesën vendosi që e njëjta të mos miratohet, pasi që ankuesi nga provat e bashkëngjitura nuk arriti të arsyetojë si të bazuar pretendimin e tij për sa i përket çështjes së miratimit të vendimit nga ana e Kuvendit Komunal në lidhje me çështjen e shëndërrimit të pronës publike në varreza. As nga ankesa e as nga vendimi i kryetarit të Komunës të bashkëngjitur në ankesë nuk ka fakte se çështja në fjalë është vendosur nga Kuvendi i Komunës së Drenasit.

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.

 

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës